Apologjia e vërtetë e Anxhelës
9/7/20263 min read


Në një kohë kur ndjeshmëria dhe përgjegjësia historike shpesh zëvendësohen nga heshtja dhe harresa, fjala e zonjës Anxhela Paparizo, zëvendëskryetare e Këshillit Koordinues të Diasporës, ra si një shi i butë dhe i ëmbël mbi ndërgjegjen tonë publike.
Më 28 qershor, gjatë Ditës Përkujtimore të Gjenocidit Çam, organizuar nga Shoqata Shqiptare Çamëria, Anxhela mbajti një fjalë përshëndetëse. Ajo që më preku më shumë nuk ishte gjatësia e fjalimit apo retorika – por një fjali e thjeshtë, dramatike, si e dalë nga sallat e gjyqit:
“Më vjen shumë, shumë keq. Ju kërkoj falje.”
Nuk u çudita. Jetojmë në Kanada, një vend ku ndjesa është pjesë e kulturës së përditshme. Kanadezët kërkojnë falje për çdo mosmarrëveshje, edhe kur nuk kanë faj. Nëse i tregon dikujt se dje pate një aksident me makinë, ai përgjigjet: “Më vjen keq. Të kërkoj falje.” Kjo është kultura këtu. Por përtej kësaj kulture të ndjeshmërisë dhe sjelljes, Anxhela ka një shpirt të bukur, të pastër.
Siç ka thënë poeti i komunitetit tonë, z. Flurans Ilia:
“Anxhela është një bekim nga Zoti.”
Dhe unë mendoj se Fluransi nuk e ka tepruar aspak.
Falja e saj nuk ishte thjesht një akt njerëzor. Ishte një shpërthim i thellë vetëdijeje. Anxhela i foli ndërgjegjes kolektive. I foli edhe Greqisë — pa e përmendur drejtpërdrejt, por “duke i rënë pragut që të dëgjojë dera”. Ajo kërkoi falje për një krim për të cilin nuk ishte vetë fajtore, por që vijon të mbajë pezull shpirtin e një komuniteti të tërë. Sepse falja, kur buron nga një shpirt i pastër, kthehet në udhërrëfim për një shoqëri të tërë.
Anxhela nuk bëri një akt formal. Ajo bëri një apologji të natyrshme, të thellë, njerëzore — si ajo e Sokratit përpara gjyqit, jo për veten, por për të vërtetën.
Kjo ndjesë, për ata që dinë të dëgjojnë, ishte shumë më tepër se një moment emocional. Ishte një thirrje. Një apel ndaj Greqisë, që zyrtarët e saj të ndjekin këtë shembull dhe të kërkojnë sinqerisht falje për padrejtësinë historike që iu bë shqiptarëve çamë — një populli të dëbuar nga trojet e veta, vetëm pse ishin shqiptarë.
Por kjo ndjesë është edhe një dritë udhërrëfyese për politikën shqiptare. Përfaqësuesit legjitimë të këtij vendi nuk mund të injorojnë më çështjen çame. Nuk mund të heshtin. Nuk mund ta shmangin. Nuk mund të presin që koha ta mbyllë këtë plagë. Ky është momenti për të treguar dinjitet, përkushtim dhe seriozitet.
Komuniteti çam është një nga më të paqtët në Ballkan — dhe një nga më të heshturit. Por kjo heshtje nuk është dorëzim. Është qëndresë. Është besimi i një populli që ende pret drejtësi.
Ndërsa dëshmitarët e asaj tragjedie po ndahen një nga një nga jeta, kujtesa nuk shuhet. Brezat e rinj — fëmijët, nipërit, mbesat dhe stërnipërit — nuk harrojnë. Ata mbartin në kujtesën familjare historinë e një ikjeje të dhunshme, nga shtëpitë e të parëve të tyre, duke marrë me vete vetëm rrobat e trupit.
Ajo që kërkojnë nuk është hakmarrje. Kërkojnë falje. Kërkojnë njohje publike dhe morale për dhimbjen e gjyshërve të tyre.
Të kërkosh falje nuk është dobësi. Është akt guximi. Është përkulje para së vërtetës. Është hapi i parë drejt pajtimit, drejt një të ardhmeje më të drejtë, më të ndershme dhe më njerëzore.
Faleminderit, Anxhela! JU KERKOJ FALJE! DUHEJ T'I KISHA SHKRUAR ME PARE KETO FJALE PER JU!
