Enigma e varrit tё Skёnderbeut

Intervista

9/7/20264 min read

TORONTO-Pak minuta tё vyera me doktor Latif Lazimin, projektuesin e Memorialit tё Skёnderbeut nё Lezhё. Doktor Latifi ёshtё arkitekt me profesion dhe banon prej vitesh nё Toronto. Ishte kёnaqёsi tё takohesha me tё jo vetёm pёr tё na rrёfyer pёr kёtё pjesё tё historisё shqiptare, por edhe pёr tё hedhur sadopakёz dritё mbi disa detaje tё harruara nё mjegullёn e atyre viteve nё komunizёm.

I nderuar doktor Lazimi! Pёrse varri i Skёndёrbeut u ndёrtua nё Lezhё?

Nё vitin 1976 ёshtё bёrё Konferenca Ndёrkombёtare e Akademisё sё Shkencave pёr Skёnderbeun dhe aty Çesk Prendi –profesor arkeolog kishte bёrё njё hulumtim tё hollёsishёm dhe ka argumentuar shkencёrisht se nё kёtё kishё ёshtё varrosur Skёnderbeu! Nё fakt e dhёna e parё ёshtё nga Marin Barleti dhe shkencёtarё tё tjerё qё varri i Skёnderbeut ka qenё nё kishёn e Shёn Kollit nё Lezhё. Kёtё e mora tё mirёqenё dhe bёra projektin.

Sa kohё t’u desh pёr projektin?

Projekti dhe zbatimi zgjati tre vjet, Aty u prish minareja. Kishte njё mendim se eshtrat mund tё gjendeshin nёn minarenё e xhamisё. Por qё tё prishej minareja ishtё shumё e vёshtirё. Gurёt e minaresё ishin lidhur jo vetёm me llaç, por edhe me plumb. Me njё fjalё, shkrihet plumbi dhe derdhet te sipёrfaqja e gurit dhe mbi tё vihej guri tjetёr. Plumbi lidh shtresёt e gurёve. Themeli i minaresё ndodhej 3,5 metra thellё. Gёrmime u bёnё edhe nё mes tё kishёs, me synimin se aty mund tё gjendej varri i Skёndёrbeut. Duke gёrrmuar nё mes tё kishёs, u zbulua njё sarkofag.

Ku ёshtё ndёrtuar Kisha e Shёn Kollit?

Kisha e Shёn Kollit ёshtё e ndёrtuar nё njё ambient ku nёntoka poshtё fsheh Lezhёn antike. Qyteti ilir Lissus vinte nga sipёr te kodra dhe zbriste poshtё me muret rrethues deri nё lumin Drin. Lumi Drin nё atё kohё kishte port. Anijet nё atё kohё vinin dhe ankoroheshin nё portat e qytetit antik tё Lezhёs.

Çfarё zbuluan gёrmimet?

Kur u hapёn thermelet pёr vendosjen e plintave tё kolonave tё ndёrtimit tё ri rrethues, u zbulua njё rrugё antike e cila vazhdonte pёrbri muraturёs sё "apsidёs" sё kishёs. "Apsidё" quhet pjesa fundore e kishёs dhe ёshtё gjysrrethore. Rruga kalonte gati tre metra poshtё dhe pёrfundonte nё qytetin antik tё Lezhёs.

Kur fillova punёn pёr Pёrkujtimoren e Skёnderbeut, aty ishte e ndёrtuar njё xhami dhe pёrreth saj kishte shtёpi banimi. Tёrmeti i vitit 1979 shkaktoi dёme tё mёdha, por nga ana tjetёr ishte si njё lloj mrekullie qё ndodhi, pasi hapi vendin pёr memorialin dhe zbuloi pjesё tё Lezhёs antike.

Pёrse sarkofagu nuk u identifikua si vendi i mundshёm ku mund tё gjendeshin eshtrat e Skёnderbeut?

Sarkofagu kishte dy shkallёzime, ndёrsa shkallёzimi i tretё mungonte. Tek sipёrfaqja e gurёve lexoheshin gjurmёt mё tё hapura. Kishte njё tentativё nga qarqe tё ndryshme qё sarkofagu tё identifikohej si varri i Skёnderbeut. Akademia e Shkencave me Aleks Budёn nё krye doli nё pёrfundimin se sarkofagu si ndёrtim ishte shumё mё i vjetёr dhe nuk kishte lidhje me Skёnderbeun. Mehmet Shehu nё atё kohё dha urdhёr qё Akademia e Shkencave duhej ta vёrtetonte 100 pёr qind qё sarkofagu ishte varri i Skёnderbeut. Pёrndryshe vihej nё lojё dinjiteti i shtetit shqiptar. Tё gjitha ato objekte si sarkofagu, rruga ngjitur me apsidёn, porta e qytetit tё Lezhёs dhe gjetjet e tjera arkeologjike i pёrkasin periudhёs antike.

Mbaj mend sesi u çmontua sarkofagu, u hoqёn gurёt dhe u mbёshtoll si tё thuash, me njё mburojё betonarme, sepse kur ngrihet niveli i Drinit, sarkofagu pёrmbytet. Ajo hapёsirё ёshtё e mbrojtur nga tё gjitha anёt dhe e pajisur me ndriçim. Kisha u restaurua dhe u kthye nё periudhёn kur otomanёt shkatёrruan varrin e heroit tonё kombёtar.

A mund tё na jepni disa detaje nga ky projekt qё keni vёnё nё zbatim?

Nё atё kohё isha pёrfaqёsues shtetёror dhe punova me tё dhёnat e Akeademisё sё Shkencave. Çdo tre- katёr ditё shkoja me Aleks Budёn nё Lezhё. Pёr çdo lloj problemi, kontaktoja drejtpёrsёdrejti doktor Budёn. Zёvendёs kryeministri Manush Myftiu i ndiqte punimet personalisht, madje edhe kryeministri Adil Çarçani,. Si arkitekt i Institutit tё Monumenteve tё Kulturёs kisha pёrgjegjёsi. Projekti filloi qё nё 77-ёn, por tёrmeti i 79-s nё nёntor ishte njё mrekulli. I sugjerova kryetarit tё Komitetit Ezkektutiv, se ky monument kishte nevojё pёr hapёsirё pёrpara. Ditёn e premte, kur u ndamё, nuk i dhamё dorёn njёri-tjetrit. Shkoj nё shtёpi dhe pikёrisht atё natё ra tёrmeti.I thashё kryetarit tё nesёrmen se "vёrtet bёmё debat dhe nuk zgjidhёm gjё, por Zoti vetё ndёrhyri qё tё zgjidhej ajo punё". Projekti zgjati tre vjet; filloi nё vitin 1978 dhe pёrfundoi nё vitin 1981. Pёr fonde nuk kishte asnjё vёshtirёsi, megjithёse kostoja u rrit sё tepёrmi pёr shkak tё daljes nё dritё tё pjesёve antike. Pёr Memorialin kanё punuar me dhjetёra emra tё njohur si Niko Lako, Vasil Pistoli apo Roland Poloska qё ishte konstruktori pёr ndёrtimin e ri dhe pёrforcimin e mureve tё kishёs, por edhe shumё specialistё tё Drejtorisё sё Monumenteve tё Kulturёs nё Tiranё.

A ishte njё gabim prishja xhamisё?

Nё vitin 1991 kam qenё nё Itali nё njё kurs 8 mujor pёr restaurimin e monumenteve. Na dёrguan nё Vatikan me 30 arkitektё tё tjerё nga vende ndryshme tё botёs. Pata njё takim me monsinjor Markizanon, zёdhёnёs tё Papёs pёr tё gjitha kishat katolike dhe i dhashё njё kopje tё studimit nё shqip, por me njё rezyme nё frёngjisht. Markizano mё pyeti se “ku e gjetёm kurajon qё prishёm xhaminё.” I shpjegova qё ishte njё vendim i shtetit shqiptar dhe nё Kartёn Ndёrkombёtare tё Restaurimit, nё pikёn e katёrt, thuhet qё mund tё bёhen ndryshime nё monumente, kur bёhet fjalё pёr heronjtё kombёtarё. Gjithsesi meremetimet nuk u bёnё nё mёnyrё profesionale.

Pёrshembull, u hoq llaçi sipёrfaqёsor e u zhdukёn gjurmёt. Por kjo e metё mund tё korrigjohet, duke bёrё krahasimin e fotografive. Shpresoj tё gjitha kёto t’i shpreh nё njё libёr.

Faleminderit!

Intervistoi:

Pёrparim Kapllani