Kur Nopça shkruante: “Varrimi bëhet kudo të nesërmen!”
Meditim
P.I.Kapllani
9/9/20263 min read


Po mirë, pse nesër, o Shpirt, o Vëlla!? Pse NESËR? Çfarë është gjithë ky nxitim për të shkuar në Mbretërinë e Hades, kur ka kaq shumë njerëz të bukur përreth? Shpesh i kam bërë pyetje vetes se përse ne Shqiptarët i heqim “qafe” aq shpejt të vdekurit? Përse një të dashur që jep shpirt, e varrosim menjëherë të nesërmen? Tashmë kur kushtet e mirëmbajtjes kanë ndryshuar dhe mirëqënia është rritur disi, do të ishte mirë që shqiptarët në përgjithësi, ta rishikonin këtë traditë makabër “të varrosjes sa më shpejt” të njerëzve të tyre të dashur që nuk janë më.
Në rastin më të mirë, kjo lloj tradite është mbajtur gjallë edhe për shkak se Shqipëria ka fqinjë natyralë Italinë dhe Greqinë, ku jetojnë dhe punojnë me qindra mijëra shqiptarë. Këto dy vende të bekuara i kanë mbajtur afër shqiptarët me Shqipërinë e të moshuarve dhe varreve të të parëve. Këtyre fatlumëve u mjafton një traget, një autobus, por edhe një aeroplan që brenda orës të sjell mbi malet e Shqipërisë. Këto dy vende i kanë mbajtur shqiptarët fort si grusht pranë nënës së tyre të dashur dhe të vrerosur e për këta nuk ka asnjë lloj problemi.
Në kushtet e sotme, kur me mijëra shqiptarë tashmë jetojnë përtej Atlantikut, këto përcjellje lamtumire për në banesën e fundit mund të organizoheshin disi më mirë. Një javë më shumë në morg, nuk besoj se do të kushtonte aq shumë për të afërmit apo të interesuarit, që mezi presin të vijë djali nga Amerika apo Kanadaja, e të hedhë një grusht dheu në varrin e babait. Kam përshtypjen se ne shqiptarët i dërgojmë të afërmit për në banesën e fundit, jo për shkak të mungesës së parave, por për shkak të traditës dhe forcës së zakonit. Me një mënyrë më të mirë komunikimi dhe duke thyer tabutë e vjetra e të stërlashta, të gjallëve nuk do t’u mbetej peng, se pse nuk erdhën dot në varrimin e xhaxhait apo të kushuririt të parë, lëre më pastaj të babait apo nënës.
Nopça dikur shkruante sesi u jepej lamtumira shqiptarëve të veriut. Ja një fragment: “Varrimi bëhet kudo të nesërmen por mund të shtyhet, kur nuk lejojnë rrethanat, se çdo fis në Shqipërinë e Veriut ka varrezat e veta dhe prandaj farefisi lakmon ta varrosin në varrezat e fisit të vet. Vetëm Kelmendasit, që vdesin në bjeshkë, nuk i zbresin te varrezat, por i varrosnin në bjeshkë. Por kur një shaljan vdes jashtë Shalës, si p.sh. afër Shkodrës, atëherë lakmojnë, me gjithë largësinë ta shpien në shtëpinë e tij. Prandaj koha e varrimit është e lidhur me largësinë e varrezave me kohën, që iu duhet miqve për të arritur në vend.” Pra qysh në atë kohë i jepej aq shumë rëndësi miqve që këta të kishin mundësi për të arritur në vend!
Kur Kanuni i pashkruar i shqiptarëve i jepte kaq shumë rëndësi pranisë së miqve, çfarë duhet të themi sot, kur qarkullon më shumë para dhe kushtet frigoriferike të ruajtjes së kufomës janë përmirësuar?!
Ceremonitë e vdekjes duhet të kthehen edhe në ditë bashkimi e gëzimi, mes të afërmve që kanë dhjetëra vite pa parë njëri-tjetrin. Këto lloj ngjarjesh nuk duhet të shndërrohen në pengje në zemër, në plagë të reja që zor se mbyllen. Pak ditë më shumë mbi tokë nuk kushtojnë aq shumë sa mund ta mendojmë.
Informacioni rreth ambienteve frigoriferike në Shqipëri nuk është se është i mjaftueshëm dhe përmirësimi i këtij shërbimi, natyrisht që do të sillte edhe thyerjen e kësaj tabuje shumë shekullore. Pak ditë më shumë mes të gjallëve, do t’u bënte nder edhe më shumë të vdekurve tanë të paharruar, të cilët do të kishin mundësinë të kishin pranë edhe ata zogj korbi, që fatkeqësisht fluturuan aq larg.
