Valixhja e babait

Fragment nga romani "Grimcat"

9/14/20269 min read

Çimit i dukej sikur jetonte në ndonjë planet tjetër, me plot njerëz të dashur, por krejtësisht të padukshëm. Babai nuk ishte më. As Alketa që kishte ikur aq shpejt nga kjo botë. Natyra dhe gjithësia kishin qenë shumë të pamëshirshëm që kishin marrë me vete dy njerëz aq të dashur si babai dhe motra. Rrinte minuta të tëra i zhytur në mendime të zymta, aq sa harronte se ku ndodhej dhe duhej ta kapte dikush nga supi që ta përmendte nga ajo gjendje shtypëse ku kishte rënë. Ndërsa për humbjen e motrës e gjente një lloj shkaku siç ishte sëmundja, për Isain të gjetur të vrarë në rrugë, nuk gjente vetëm një, por dy apo tre. Ishte vërtet vrasje apo vetëvrasje? Çfarë i kishte ndodhur babait në të vërtetë? Apo kishte humbur jetën në mënyrë aksidentale? Dikush duhej të dinte diçka më shumë, përshembull Xhafa, kushëriri i parë i babait. Xhafa ishte njëri nga kushërinjtë më të afërt që Isai e respektonte më së shumti për sa kohë që ishte gjallë.

Manushaqja i hodhi edhe disa lugë me trahana në pjatë dhe priti që i biri të fillonte të hante, por më kot. Skuqi pak salcë në tigan dhe ia hodhi mbi trahana, për t’ia bërë disi më të shijshme, por përsëri Çimi as që nuk e preku me dorë. Kundërmimi i salcës së djegur vetëm sa i ngacmoi flegrat e hundës. Ai mëngjes duhej të ishte si të gjitha të djelat e tjera: i qetë, i mbushur me rrezet e para të diellit, pa atë ankthin e zakonshëm për të shkuar në shkollë. Ishte si një lloj bashkimi familjar pas një jave të gjatë. Çimi futi lugën e parë në gojë, por nuk po e kapërcente dot. Hodhi pak kripë dhe piper dhe e përzjeu trahananë me lugë, por oreks nuk kishte më.

“Po hë mor bir! Fut diçka në gojë!”, ju lut Manushaqja, por Çimi shtyu karrigen e drunjtë mbrapsht, sikur ta kishte pickuar grenza dhe hodhi sytë nga dera. I dukej sikur po e përpinte dheu, ndaj duhej të dilte sa më parë që andej. Sikur nuk po mbushej dot me frymë, ndërsa hija e babait zgjatej e zgjatej pa mbarim e gati sa nuk po i merrte dritën. Ngatërrohej me hijen e motrës së dashur që gugiste nga hapësira e bëhej si një vorbull mjegulle dhe tymi.

“Ma, dua të dal përjashta!”

“Përjashta në këtë orë? Por është shpejt, mor bir!” Manushaqja hodhi sytë nga Hamdiu si për të kërkuar një farë mbështetje nga ai, por Hamdiu tundi kokën në shenjë pohimi dhe rrudhi disi vetullat e trasha në ngjyrë kafe të errët.

***

Ku duhej të ishte në atë orë vallë? Xhafa punonte inspektor skene në teatër dhe pikërisht për këtë arsye gjendej gjithmonë aty: ose në skenë, ose në studion e vet të mbushur me portrete dhe skulptura, të cilat i krijonte përditë nga pak dhe me një zell të madh, aq sa edhe harronte se ku ndodhej. Xhafa shpesh gjente kohë të fliste me Çimin, sa herë që vinte “çuni i Isait”. Çimi trokiti fort në derën anësore të teatrit, por më kot. Në atë orë të paradites së të djelës, zor se duhej të kishte njeri. Këmbët nuk po e mbanin më. Xhafa ose nuk kishte kishte dalë nga apartamenti i vet në katin e parë pas bibliotekës, ose kishte shkuar për ndonjë vizitë te e ëma, shtëpia e hallë Sadijes që ndodhej përtej Urës së Zaranikës, në rrethinën më të skajshme të qytetit.

Eci me të shpejtë përgjatë kalasë fushore dhe u fut në rrugicën që të çonte në pallatin e Xhafës. U fut nga pas e trokiti fort. Vizitat tek ajo shtëpi ishin bërë më të shpeshta, që nga ajo ditë kur babai ndërroi jetë. Zakonisht në shtëpi duhej të ishte edhe gruaja e tij Xhulja, e për këtë arësye Çimi ndjeu një lloj ankthi dhe zori që kishte ardhur aq herët për vizitë. Ndërsa po bëhej gati të kthehej, dera u hap dhe para syve ju shfaq Xhafa me tërë atë buzëqeshjen babaxhane dhe të ngrohtë, që të bënte menjëherë për vete. Pas shpatullave të tij të gjera u duk Xhulja, me flokët e saj ngjyrëkafe dhe të dallgëzuar. Buzëqeshja e saj e ngrohu disi.

“Prit, ku po shkon?” thirri Xhafa dhe ende pa hapur mirë derën zgjati krahët për ta përqafuar. Vetullat e trasha dhe pis të zeza e bënin edhe më tërheqëse atë fytyrë të rrumbullakët ku lexohej vetëm mirësi. Çimi u kthye i skuqur flakë në fytyrë dhe ndoqi Xhafën nga pas për në dhomën e ndenjes. Xhulja e shtrëngoi fort në krahët e saj dhe nuk vonoi të nxirrte një tabaka me llokume e dy gota me limonatë.

“Hë Çimi, si je? Si po ja çon këto ditë?”

“Mirë!” Çimi uli kokën gati për t’ia shkrepur të qarit. I mbusheshin sytë me lotë, sa herë që duhej të fliste për babain. Xhafa i shpupuriti flokët gjembaçë si për ta lehtësuar disi.

“Dëgjo, kam një palë pantallona të mira, që dua të t’i dhuroj. I vishja, kur kam qenë i ri. Thuaji mamit të t’i shkurtojë dhe do të të bëjnë. Xhulja, sillja pak Çimit që t’i provojë.” Xhulja la tabakanë mbi tavolinën e vogël prej xhami dhe gati sa nuk fluturoi për në dhomën e gjumit, ku kishin një dollap të madh të mbushur me rroba.

Ishin një palë pantallona teritali në ngjyrë blu të errët, të ruajtura me shumë kujdes. Xhafa i bëri me shenjë të ngrihej në këmbë dhe ja lëshoi pantallonat përgjatë trupit. Me pak shkurtime, patjetër që duhej t’i bënin. I zënë ngushtë nga ajo dhuratë e papritur, Çimi donte t’i thoshte Xhafës se kishte ardhur për diçka tjetër. Xhafa e pyeste për shkollën, pushimet verore, ndërsa ai përgjigjej shkurt me “po” e “jo”, duke mbajtur sytë përdhe. As që nuk e kishte menduar, se duhej të vinte aty për ndonjë dhuratë. Ndoshta një kujtim nga babai do të bënte shumë punë. Babai kishte patur një mori librash me tematikë nga më të ndryshmet: që nga poezitë e Sergej Eseninit e gjer tek librat në rusisht që trajtonin shëndetin mendor. Ndoshta do të kishte ndonjë ditar të fshehtë ku mund të kishte ndonjë detaj më shumë se çfarë kishte ndodhur para vdekjes. A mund të kishte pasuri më të shtrenjtë sesa ato poezi, që babai i shkruante dhe i mbante të kyçura në një valixhe prej lëkure në ngjyrë të zezë?

“Xhafë! Faleminderit për pantallonat! Nuk do ta harroj kurrë, që po më jep rrobat e trupit.” Zëri iu mek dhe nuk po dinte si të vazhdonte më tej. Duhej të largonte mendimet e këqija. Kapërceu gulçin që i ishte mbledhur në gjoks, por duart po i dridheshin lehtazi. Këto kohët e fundit kishte vënë re se nga hundët kishin filluar t’i rridhnin pikëza gjaku. I ndodhte të paktën dy herë në muaj, sa herë zhytej në dëshpërim të thellë. Nga frika, se mos i dilte gjak përsëri, pickoi veten fort në ije.

“Çimi, mos nuk ndjehesh mirë?” Xhafa i zgjati gotën me limonatë dhe u afrua më shumë pranë tij në divanin e gjerë, si për t’i dhënë zemër.

“Mirë jam! Më fal! Dua të të pyes për diçka!”

“Po! Më pyet çfarë të duash!”

“Babi më duket se ka patur një valixhe me libra. Një valixhe të zezë!”

“Valixhe me libra? Po! E kam unë! E kam ruajtur si gjënë më të shtrenjtë.”

“A mund t’i hedh një sy?”

“Po! Që tani! Xhulja, sille pak valixhen e Isait!”

Çimi priti me ankth, gjersa Xhulja hyri në dhomën e gjumit e doli prej andej me valixhen në duar. Ishte kaq e thjeshtë: mjaftonte t’i bënte Xhafës një pyetje dhe ja ku ishte, valixhja e çudirave, të cilën e kishte parë kaq herë në ëndërr.

***

Xhulja u ul pranë tij dhe e vuri valixhen mbi divan me kujdesin më të madh, sikur të ishte prej qelqi dhe kishte frikë se mos i thyhej. Çimi kaloi gishtat mbi të gjithë frikë e ngazëllim njëkohësisht. Seç kishte një fuqi mangnetike ajo valixhe, diçka shpërthyese krahasuar me forcën e atomit. Ku kishte qenë e fshehur kaq kohë? Paskësh ekzistuar vërtet apo u shkëput nga ëndrra dhe ra aty në prehërin e tij, si një meteor që zbriste rrufeshëm nga hapësira? Ai shkëmb i vogël kozmik vazhdonte të digjej nga dëshirat e pathëna, zjarret e vegjël të dashurisë së pashprehur. Kishte pritur kaq kohë. E kish ëndërruar kaq shumë atë çast dhe tashmë kishte frikë, se mos magjia prishej.

“Hape!”’ Zëri i Xhuljas e shkundi disi nga ai delir ku kishte rënë. Gishtat filluan t’i dridheshin. E hapi ngadalë atë kuti çudirash. Ç’ishin ato rreze drite që nisën udhëtimin drejt qiellit? Duhej të ishte një vegim i rremë; nuk kishte as magji, as rreze drite. Ishte një objekt i thjeshtë i ngrënë vende-vende nga vitet. Oooh, ja një përmbledhje me poezi e shkruar me një kaligrafi të rregullt, gërma të gdhendura me kujdes e të rrumbullakosura. Ishte një fletore shënimesh, pothuajse e zverdhur nga koha, me disa fletë të fishkura e të grisura. E shfletoi me shpejtësi e sytë iu ndalën tek poezia e bretkosave. I entuziazmuar harroi se ku ndodhej dhe filloi të lexojë me zë të lartë:

Dasma e bretkosave

Bretkosat ekzektojnë

Simfoninë e gjumit

Vetë këndojnë

Dhe vetë duartrokasin:

Nga dasmat e rralla

Ku mblesët s’ndërhyjnë

Ndaj po plasin.

“Kjo qenka një poezi e përkryer.” Çimin nuk po e mbante më vendi.

“E saktë! Lexo këtë poezinë tjetër”. Xhafa shfletoi fletoren me kujdes, pa ia hequr nga dora. Këtë herë ishte Xhafa që recitonte:

Prangat

Pranga në tru,

Pranga në zemër

Në pranga hapësira.

Prej tyre

Më çliron

Vetëm dashuria.

“Kjo është poezi për burg!” tha Xhulja.

“E marr me mend se çfarë do të thuash, por nuk besoj se Sigurimi ka patur mundësi t’i lexojë këto poezi të shkurtëra.” Xhafa tundi kokën me mëdyshje dhe u tërhoq në qoshkën më të largët të divanit. Ishte rradha e Çimit të recitonte një poezi nga babai.

Gjethet

Lahem i dehur

Në këtë lumë të florinjtë vjeshte

Nën qiellin e kthjellët

Gjethet-letra dashurie

Dërguar nga pemët.

Çimi ndaloi për një çast si për të rregulluar frymëmarrjen. Nuk po u besonte dot syve që babai kishte shkruar poezi aq metaforike, që të mbeteshin në kujtesë. Ndoshta do të ishte më mirë që ta ruante si sytë e ballit atë fletore dhe një ditë të arrinte të botonte librin e babait. Hovin e mendimeve ia preu sërisht Xhafa me atë zërin e tij bubullues.

“Ka shumë poezi! Do të të duhen net të tëra dimri që t’i lexosh gjer në fund. Ja dhe kjo poezi që më ka bërë përshtypje,” tha Xhafa dhe ia mori fletoren nga duart.

Unë jam Njeriu

Unë jam Njeriu

Ende i papërfunduar

Nga dora primitive e natyrës

I papërfillshëm ndaj pafundësive.

Rëra e xhamtë e muzikës shkërrmoqet

Mbi lakuriqësinë time

Tinguj të pazakonshëm

Jehojnë nga Pavdekësia

Endrrën shpesh ma prishin meteorë të vdekshëm.

Buzë valësh thërrmuese

Ndanë ftohtësisë tënde

Përpiqem të vetëkuptohem

Të vetëpërmbahem

Të vetëflijohem

Në guackën e dashurisë për Ty!

“Xhulja, çfarë mendimi ke?” Xhafa u kthye nga e shoqja me një shprehje çapkëne në fytyrë.

“I kam lexuar me dhjetëra herë. Mendoj që janë poezi shumë të bukura. Një qyp plot me florinj, kjo valixhe! Kush tha që babai nuk të paskësh lënë pasuri!?” tha Xhulja. “Por ka shumë gjëra të tjera. Përshembull mua më pëlqejnë këto poezi të Sergej Eseninit. A e di kush është Sergej Esenin?”

Çimi ngriti supet.

“Ta them unë. Poeti më i madh i të gjitha kohërave. U martua pesë herë dhe ka qenë i shtruar në një spital psikiatrik. Del nga spitali për Krishtlindje, dy ditë më pas bën prerjen e njërës dorë dhe shkruan me gjakun e vet poemën e tij të fundit, e cila përfaqëson lamtumirën e tij dhënë botës. I vrarë apo i vetëvrarë kjo nuk dihet. Ajo që dihet është data 27 dhjetor 1925, kur ndërroi jetë në moshën 30 vjeçare. Xhafë, a nuk mendon se ka pak ngjashmëri me fatin e Isait?”

“Besoj se po! Mund të jetë marrë edhe si shembull. Ka qenë poeti i tij i parapëlqyer.” Tha Xhafa. Papritur Çimit i kapi syri një bllok tjetër shënimesh, ku shkruhej “ditar”. E rrëmbeu në duar dhe e shfletoi me nxitim. Kërkoi me ngut në faqen e fundit. Diçka duhej të ishte shkruar në faqen e fundit. Fryma ia ndal për pak sekonda. Bebet e syve iu zmadhuan, sikur po përpiqeshin të zbulonin diçka të tmerrshme të mbuluar nga errësira. Sekreti kishte qenë aty dhe nuk e kishte parë askush: me shkronja blu të errët në fletën e verdhë:

Data 14 Shkurt është dita e Shën Valentinit!

Në këtë datë do të vras veten!